Lamtumirë legjendë!

Kapiteni legjendar i Interit dhe i mbarë futbollit botëror, Javier Zanetti, i ka dhënë lamtumirë futbollit me një fitore të jashtëzakonshme të ekipit të tij ndaj Lazios me rezultat 4-1.

 Rreth 80 mijë shikus ishin mbledhur në stadiumin për plot të Interit, me koreografi të shumta për kapitenin legjendar të Interit, që po zhvillonte ndeshjen e tij të fundit në karrierë para tifozëve Nerazzur.

Vlen të përmendet se edhe pse tifozët ultras Curva Nord nuk u lejuan të hynë në vendin e zakonshëm, ata ishin të pranishëm në anën tjetër aty ku qëndrojnë tifozët e Milanit, e ku e bënë koreografinë për Il Capitanon.

Etrit Berisha dhe Lorik Cana startuan për Lazion, dhe ata startuan mirë. Pas vetëm dy minutash lojë, ishte Biava ai që me asist të Lorik Canës shënoi në afërsi të zonës për 1-0 dhe qetësinë e tifozëve të Interit.

Pikërisht në këtë moment u ndez ekipi i Interit. Pas presionit të madh ishte një top mjeshtëror nga maestro Mateo Kovacic ai që e pa para golit të Berishës argjentinasin Palacio, që me një prekje të lehtë barazoi për 1-1 (5′).

Presioni i madh i Interit me euforinë e tifozëve vazhdoi. Pas rasteve të shumta dhe aksioneve të mrekullueshme, ishte Mateo Kovacic ai që sërish tregoi se është lojtar i klasit botëror kur në mes të 10 lojtarëve e gjeti top sulmuesin Mauro Icardi që natyrisht nuk gaboi për 2-1.

Interi nuk u ndal teksa Lazio mbeti në pjeëfushën e vet. Pas një pasimi fenomenal të sërishëm të Kovacic, ishte Nagatomo ai që harkoi në zonë e ku u gjet më mirë Palacio, që realizoi golin e tij të dytë në këtë takim për 3-1 dhe epërsinë solide të Interit dhe shumë të merituar në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë erdhi edhe momenti kulmor. Në minutën e 52-të ishte Jonathan ai që u largua, dhe gjyqtari i katërt tregoi numrin katër.

Javier Zanetti si një legjendar i vërtetë, si personifikim i klubit Nerazzur u shfaq kryelart në vijën e zëvëndësimit. Tifozët ngriten gjysmë në këmbë, Zanetti prek shiritin, sytë iu mbushën me lot. U përshëndet me Il Capitanon dhe kur shkeli brenda në fushë, tifozët nuk iu përmbajtën lotëve. Ishte hera e fundit që po e shihnin në fushë, por tani me shumë duartrokitje. Kapiteni vraponte me krenari, aty ku fitoi 19 trofe. Kapiteni i gjithë futbollit.

Loja vazhdoi dhe Lazio filloi të bënte presion ekipin e Interit shumë të emocionuar nga hyrja e Zanettit.

Janë disa intervenime të Handanovic ato që shpëtuan Interi nga pranime i golave, teksa në anën tjetër nuk kishte çfarë të bënte Etrit Berisha kur Hernanes e bllokoi portierin shqiptar me një supergoditje nga distanca për 4-1 (79′). 

Zanetti pas golit të katërt u shfaq më i relaksuar dhe bëri disa depërtime sikurse që bënte zakonisht në kohërat e tij të arta

41 vjeç, por nga katër lojtarë nuk mund ta ndalnin këtë njeri, edhe pse po e zhvillonte ndeshjen e tij të fundit para publikut vendas. E jashtëzakonshme.

Ndeshja përfundoi me rezultat 4-1 dhe Interi ka 60 pikë në vendin e pestë, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në Europa League stinorin e ardhshëm. Torino është në vendin e gjashtë me 55 pikë, një më shumë se Milani.

Javier Zanetti kështu përshëndetet nga futbolli. Kapiteni legjendar i Interit dhe i gjithë futbollit ka regjistruar mbi 600 paraqitje në Serie A, më së shumti te Interi dhe ka 1162 paraqitje në të gjitha garat, sërish lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Interit.

Javier Zanetti ka fituar 16 trofe në karrierën e tij me Interin, më shumë se çdo lojtar tjetër.

Javier Zanetti është kapiteni i gjithë futbollit dhe me plot meritë mund të quhet i tillë, pasi është prej të atyre pak lojtarëve që nuk janë urryer nga futbolli dhe kanë gëzuar gjithmonë respektin për futbollin e pastërt dhe të drejtë.

Si simbol dhe ikonë e futbollit dhe vet Interit, Zanetti kështu përshëndetet duke i siguruar Interit plasmanin në garat evropiane për sezonin e ardhshëm, me një fitore sensacionale, ashtu sikurse është vet Zanetti. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button