×
  • Lajme
  • Lajme

    Gratë e reja në Kosovë e Serbi angazhohen në ndërtimin e paqes, kërkojnë pjesëmarrje në dialog

    Insajderi
    04 August 2021 - 13:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gratë në Kosovë e Serbi kërkojnë të japin kontributin e tyre në dialogun bilateral, që ka nisur tash e dhjetë vjet, ashtu siç në përditshmëri kontribuojnë në komunitetet e tyre.

    Një iniciativë me rëndësi të veçantë sa i përket këtij procesi ka nisur nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis nga Kosova dhe Qendra Alternative e Vajzave nga Serbia, të përkrahura nga Kvinna tillKvinna.

    Këto dy qendra, që gruan e kanë kryefjalë të tyre, në disa takime online kanë bërë bashkë gra të reja nga Kosova e Serbia, për të diskutuar, propozuar e nxjerrë konkludime dhe rekomandime rreth procesit të dialogut e çfarë do të jetë roli i gruas brenda tij. Me njohuri mbi feminizmin e të gatshme për ndërtimin e paqes këto gra të reja kanë qenë pjesë e gjashtë edicioneve të Shkollës Feministe Praverore, që zë vend dy herë në vit në Kosovë e Serbi nën organizimin e Artpolis dhe Qendrës Alternative të Vajzave.

    Për udhëheqësen e këtij diskutimi, Andrijana Kocić, nuk është e rëndësishme nëse je majtas a djathtas në orientimin politik, por e rëndësishme është që gratë e reja janë mbledhur për të shpalosur idetë e tyre për procesin e dialogut, për të përpiluar rekomandimet që do t’iu dorëzohen institucioneve përkatëse në Kosovë e Serbi.

    “Ne si organizatë për të drejtat e grave ka vite që merremi me këtë çështje, por për fat të keq as Serbia as Kosova nuk kanë pasur ndonjë pikë diskutimi për këtë. Kështu që, ne jemi mbledhur këtu të diskutojmë mbi këto tema lirshëm dhe të paraqesim gjëra që nga ju propozohen dhe të dalim me një dokument që vlen për bisedime. Ndoshta ne nuk e dimë se çka përmbajnë saktë pikat e bisedimeve, por qëllimi ynë është që t’iu japim propozim për sa u përket të drejtës së grave në Serbi dhe Kosovë”, u shpreh ajo.

    Mostransparenca është karakteristika e dialogut dhjetë vjeçar, sipas pjesëmarrëses Milena Beran, e cila shprehet se ky proces është paksa mistik, pasi nuk dinë shumë gjëra rreth tij e informacionet nga mediat lënë për të dëshiruar.

    E një propozim interesant për dialogun me Serbinë erdhi pikërisht nga Berani, e cila deklaroi se pjesë e delegacionit serb duhet të jenë edhe serbët që jetojnë në Kosovë, duke theksuar se aty duhet të ketë edhe gra, duke përmendur Rada Trajkoviqin si një nga opsionet.

    “Besoj që edhe serbët e Kosovës të përfshihen në dialog, mendoj se kjo qeveri ka interes për atë. Pse jo të mos jetë edhe një grua e komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe është aktiviste politike, siç është Rada Trajkoviq, mendoj qëështë e duhura për këtë gjë, më shumë se të tjerët”, u shpreh Milena Beran.

    Kurse menaxherja e projekteve në Artpolis, Venera Ismaili, tregoi se tashmë kjo organizatë ka marrë hapa konkret që në delegacionin e Kosovës të përfshihen edhe gratë.

    Ismaili deklaroi se e kanë përkrahjen e presidentes, Vjosa Osmani, që edhe gratë të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi, derisa theksoi se Artpolis ka krijuar një dokument si një kërkesë në formë proteste, drejtuar Ambasadës Norvegjeze, si mbështetëse teknike e këtij procesi, me ç’rast është kërkuar përfshirja e grave.

    “Këtë letër e kemi përgatit për t’ia dërguar pastaj Ambasadës norvegjeze, si mbështetëse teknike në procesin e dialogut. Kjo letër pritet të përfshijë edhe organizata të tjera dhe do t’iu dërgohet institucioneve relevante për këtë çështje”, tha Ismaili, me ç’rast paralajmëroi se shumë shpejt do të bëhet publike e gjithë kjo.

    Ndërsa, sa i përket takimeve që kanë pasur me këto tre fokus grupe në kuadër të këtij diskutimi, Ismaili u shpreh se ekziston një pajtueshmëri te vajzat nga Serbia që shteti i tyre duhet ta njohë Kosovën, sepse kjo do të lejonte zhvillimin e të dyja vendeve.

    “Nga ana e Kosovës, vajzat të gjitha janë të pajtimit që Kosova e Serbia duhet të pajtohen por duke mos u anashkaluar kërkimi për drejtësi, vrasjet, zhdukjet, përdhunimet (qoftë nga të dy palët). Të dyja palët pajtohen që nuk janë të informuar nga politikanët, por vetëm nga mediat të cilat informatat i marrin vetëm nga konteksti çka paraqitet në publik. Të dyja palët pajtohen që informimi duhet të jetë i drejtëpërdrejtë, ndoshta direkt nga tavolina negociuse, sepse në këtë mënyrë mediat nuk shpërdnajnë denziformata dhe nuk manipulojnë me publikun”, deklaroi Ismaili.

    Në fund fare, të gjitha pjesëmarrëset dhanë nga një mendim të tyre në lidhje me këtë diskutim.
    Aty u vu re nevoja që gratë të informohen sa më shumë për dialogun dhe ato të përfshihen në proces, pasi që, gjykimi i tyre nuk përfshin aspak nacionalitetin dhe inatet politike që këto dy shtete kanëndërvite.

    Këto diskutime janë realizuar në kuadër të aktivitetit “Gratë e reja për pjesëmarrje në ndërtimin e paqes”, që synon bashkimin e grave të reja të interesuara për të kontribuuar në politikat e paqes në rajon dhe krijimin e një dokumenti rekomandimesh me qëllim të kontributit në kulturën e paqes nga një perspektivë gjinore që mbështet forcimin e demokracisë në Kosovë dhe Serbi dhe ndërtimin e një dialogu përtej kufijve midis grave të reja aktiviste.

    E gjithë kjo u mundësua nga Qendra Alternative e Vajzave nga Serbia dhe Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, e përkrahur nga KvinnatillKvinna.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark