×
  • Lajme
  • Lajme

    Borrell ia kthen përgjigjen Kurtit, nuk pajtohet me planin e tij 5 pikësh: Pasoja të rënda nëse nuk de-eskalon situata

    Reporteri
    14 Qershor 2023 | 21:27
    Albin Kurti dhe Josep Borrell

    Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i ka kthyer përgjigje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pas planit me pesë pika që propozoi si rrugë për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Josep Borrell ka thënë se kryeministri Kurti, përmes këtij plani, nuk i ka adresuar disa elemente kyçe që sipas tij kanë shkaktuar krizën në komunat veriore, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ai ka kërkuar edhe njëherë, që Kurti t’i përmbushë kërkesat e BE-së për depërshkallëzim, të cilat i ka listuar një e nga një, si rikujtim për shefin e ekzekutivit.

    Si pikë e parë, kryetarët e komunave veriore të punojnë nga objekte alternative; pika e dytë, që Policia e Kosovës të zmbrapset nga veriu, derisa Borrell tha se edhe nga Serbia kanë kërkuar që t’i eliminojnë elementet radikale; pastaj kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, si pika e tretë dhe e fundit.

    Borrell tha se krimet e bëra më 29 maj gjatë protestave në komunat veriore nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar, dhe se me këtë po merret EULEX-i.

    Në letrën e tij, shefi i diplomacisë ka thënë tutje se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq do të mund të realizohet vetëm atëherë kur Kosova merr hapat e nevojshëm për ta qetësuar situatën dhe të angazhohet drejt zgjedhjeve të reja.

    “Nuk mund të bëjmë progres në normalizim të raporteve përderisa po merremi me menaxhim të krizës”, ka shkruar Borrell në përgjigjen e tij, drejtuar Kurtit.

    Ai ka ritheksuar se nëse nuk ndërmerren këta hapa, Kosova do të përballet me disa pasoja të rënda për të cilat Borrell tha i ka njoftuar të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe se ndëshkimet do bëhen edhe publike. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!